Për një gol, Levandovski do kishte marrë dy topa në shtëpi!

Ritmi i tanishëm mund të krahasohet vetëm me një Mesi apo Ronaldo në kohët shumë të mira. Robert Levandovski është 31 vjeç, por nuk ka ndërmend ta ulë nivelin, dhe vazhdon marshimin në futbollin gjerman. Shënoi 3 gola në fushën e Shalkes, në fitoren 3-0 të Bajernit, dhe mori me vete në shtëpi topin e ndeshjes. Në javën e parë, kundër Hertës në Mynih, nuk ia doli me më shumë se dy rrjeta, ndërsa nëse do të kishte pasur 3, do t’i ishin bërë dy topa radhazi në dhomën e tij të preferuar të trofeve.

Sulmuesi polak duket krejtësisht i shëruar nga “virusi i ikjes”. Ai e ka mbledhur mendjen top që ta mbyllë karrierën në Mynih, dhe po përpiqet të arrijë rekordet. Tashmë, Leva ka 207 gola në Bundesligë, vetëm 13 gola më pak sesa ish-trajneri i tij, Jup Hajnkes, që mban vendin e tretë për të gjitha kohët, dhe është në podium. Në Gjermani ka shënuar gati 300 herë, për Dortmundin dhe Bajernin, e mesa duket do të vazhdojë ta bëjë. Duke hequr mënjanë “bishat” Mesi e Ronaldo, Levandovski është ndër të rrallët sulmues me gati 400 gola për klubet, dhe me shansin për të arritur 500 në karrierë. Tjetri është Luis Suarezi i Barcelonës.

Sfidanti.al