VAR super, por askush s’do ishte ankuar për golin e Ronaldos

Tifozët e Juventusit e mallkuan me të madhe teknologjinë dhe “diktatin” e saj në futboll. Juventusi fitoi 1-0 në fushën e Parmës, por mund të kishte qenë 2-0 nëse Kristiano Ronaldos nuk do t’i ishte anuluar një tjetër gol, për pozicion jashtë loje. Gjyqtari napolitan Mareska e akordoi fillimisht, por VAR-i ndëhyri dhe e “skartoi” rrjetën e CR7-ës. Pozicioni jashtë loje ishte kaq milimetrik saqë një nga tifozët juventinë, në rrjetet sociale, bëri shaka: “Teknologjia nuk gabon, por çfarë e bëri ofsajd Ronaldon, ndoshta ndonjë kaçurrel apo balluke e flokëve”.

Ishte një nga ata gola që nuk do të ishin kundërshtuar as nga tifozët e skuadrës rivale, ndërsa vetë portugezi humbi një tjetër gol “të qëruar”, diçka që i ndodh rrallë. Gjithsesi, Ronaldo ishte një nga më të mirët në fushë, pavarësisht se nuk shënoi gol, duke u veçuar nga të tjerët bashkë me autorin e golit të fitores, Kielinit. Jo edhe aq në formë Juventusi si ekip, pavarësisht epërsisë së madhe teknike mbi Parmën. U duk si skuadra e Alegrit, që shpesh nuk ishte në gjendje të mbyllte ndeshjen dhe fitonte në mënyrë minimaliste. Një justifikim mund të gjendet, pasi trajneri Mauricio Sarri ishte në shtëpi, me raport nga mjeku.

Sfidanti.al