Sot Liverpul-Arsenal, do të vazhdojë festivali i golave në derbi?

Nuk është një derbi në kuptimin e vërtetë të fjalës, por gjithsesi e meriton epitetin për rivalitetin e shpeshtë mes skuadrave. Liverpuli pret Arsenalin sot në “Anfild”, në duelin e Premier Ligës që nis në orën 18:30, dhe kënaqësia është e madhe në Angli, por edhe në gjithë botën, pasi bëhet fjalë për një sfidë tradicionalisht me gola. Plot 155 gola kanë shënuar ndaj njëri-tjetrit dy ekipet, një rekord në Premier Ligë, pasi që të dy janë të orientuar drejt lojës sulmuese.

“Ndershmërisht pres që kjo traditë të vazhdojë, – tha Jurgen Klopi, – ne luajmë në sulm, dhe Arsenali po ashtu. Ka lojtarë shumë të mirë në çdo pozicion dhe shpejtësi të madhe në daljet në sulm. Kjo e bën të vështirë që të mbrohesh”. Klopi i dha dy ditë pushim ekipit të tij pas fitores në Sauthepton, 72 orë pas suksesit në Superkupën e Europës ndaj Çelsit. Ai nuk e bën zakonisht këtë gjë, dhe kjo pritet që ta ketë shlodhur Liverpulin.

Po Arsenali? Po flitet shumë se londinezët e kanë tepër të vështirë në “Anfild”, diçka për të cilën u pyet edhe trajneri Unai Emeri, i cili u përgjigj me ironi. “Po pra, – tha ai, – ne nuk duam kurrë që të ndeshemi me Liverpulin”. Gjithsesi, së fundi të kuqtë kanë fituar 5-1 e 4-0! “Kundërshtari është i fortë dhe nuk është e lehtë të luash aty, – pranon Emeri, – por, ne jemi në formë të mirë, jemi të përgatitur dhe me moral të lartë. Besoj se këtë vit do të jetë ndryshe”.

Sfidanti.al