Nuk mund të quhet “Skuadra Ëndërr”, por gjithnjë mbetet përfaqësuesja e basketbollit të meshkujve të SHBA-së. Që do të thotë ekipi më i lavdishëm, më i adhuruar dhe me traditën më maksimale të mundshme në sportin e koshit. Prandaj, edhe humbja e pësuar në Melburn ndaj Australisë shkaktoi një tronditje si prej tërmeti në gjithë botën.
Ishte një miqësore, të kuptohemi, e humbur vetëm 94-98, por sidoqoftë skuadra e drejtuar nga trajneri i madh Greg Popoviç është dezertuar nga shumica e yjeve të NBA-së. Jo Lebron Xhejms, Kevin Durant, Koui Leonard, Xhejms Harden, Stefën Kërri, Entoni Dejvis apo Kajri Irving.
Përballë 52 000 spektatorëve, diferencën për australianët e bënë lojtarët e NBA-së si Pati Mills që shënoi 30 pikë. Ishte humbja e parë në 13 vjet, që nga gjysmëfinalja e Botërorit ndaj Greqisë. Duke mos pasur yjet kryesorë, SHBA edhe mund të mos triumfojë në Botërorin që nis në Kinë.
Historia e ka treguar edhe pas vitit 1992. Në 1998 në Botëror, u mund në gjysmëfinale nga Rusia. Në 2002, gjithashtu nuk pati një skuadër të plotë, ku më të mirët ishin Pol Pirs, Rexhi Miler, Shon Marion, Ben Uollas apo Xhermen O’Nill. Edhe pse luajti në fushën e saj, në Indianapolis, u mund në çerekfinale nga Jugosllavia dhe përfundoi në vendin e 6-të. Në 2006 po në Botëror, u mposht në gjysmëfinale nga Greqia, ndërsa kishte në përbërje Lebron Xhejmsin e ri, Duejn Uejdin, Kris Polin, Kris Boshin, Duajt Hauardin apo Karmelo Entonin.
Në Lojrat Olimpike, që kur u aktivizuan yjet e NBA-së, amerikanët kanë humbur vetëm një herë, në 2004 në Athinë. Nuk ishte skuadër e keqe, me Lebron Xhejmsin, Tim Dankënin si kapiten, Lamar Odomin, Alen Ajversonin, Duejn Uejdin, Karmelo Entonin e të tjerë. Kjo nuk mjaftoi dhe SHBA pësoi 3 humbje, më shumë sesa kishin pësuar skuadrat amerikane në gjithe olimpiadat e mëparshme. Goditja e fundit erdhi në gjysmëfinale ndaj Argjentinës, me shifrat 81-89
Sfidanti.al