Sanço me këpucë si “Shalke”, dy ngjyra në dy pjesë loje

Nuk mendohet aspak se kishte ndonjë synim “diversionist”, por ndoshta ka qenë rastësi, apo tekë njerëzore. Xhejdën Sanço spikati (paksa me vonesë) në ndeshjen e Dortmundit ndaj Augsburgut, për këpucët që veshi gjatë 90 minutave në startin e Bundesligës. Në pjesën e parë, talenti i ri anglez kishte mbathur një palë me ngjyrë tërësisht të bardhë, duke bërë kontrast me uniformën e tij të verdhë dhe të zezë.

Pas pushimit, papritur ai mbante në këmbë një palë të tjera, me ngjyrë blu. Mos ndoshta, iu dëmtuan të parat, ndoshta nuk u ndje mirë me to, mos vallë ishte çështje sponsori? Ku i dihet, dhe në fund të fundit, nuk pati asnjë rëndësi. Sanço luajti shumë mirë me të dyja palët e këpucëve, ndërsa gazetat gjermane bënë shaka duke thënë se ai i zgjodhi me ngjyrat e Shalkes, bardhë e blu. Diçka që bie në sy, sepse Dortmundi dhe Shalke janë rivalët më të ashpër në Gjermani.

Sfidanti.al