Liverpuli kërkon titullin, por si ia bën 8 javë pa Alisonin?!

Përveç treshes së sulmit, Liverpuli pati edhe dy superlojtarë të tjerë që e ndihmuan sezonin e kaluar të pretendonin Premier Ligën deri në fund, dhe të fitonin Championsin. Këta ishin Virgil Van Dajk në mbrojtje dhe Alison në portë. Imagjinojeni vetë se çfarë dëshpërimi ka sot trajneri Jurgen Klop, ndërsa mëson se Alison do të mungojë rreth 8 javë për shkak të dëmtimit që pësoi në ndeshjen ndaj Noruiçit.

Gjermani e ka menduar menjëherë zëvendësuesin e përkohshëm, dhe ky është Andi Lonergan. Ish-numri 1 i Prestonit dhe Midëllsbrout ishte me Liverpulin në turin amerikan, dhe konsiderohej si numri 3 pas Alisonit dhe portierit tjetër Adrian, ndërsa Klop dëshiron të ketë të paktën dy “gardianë” të sigurt. Për këtë arsye, trajneri pritet t’i japë një kontratë afatshkurtër Lonerganit. Alison do të mungojë në ndeshjen e Superkupës së Europës ndaj Çelsit, pastaj në ndeshjet e Premier Ligës kundër Arsenal e Njukasëll, si dhe në Sauthempton e Bërnli, e po ashtu në ndeshjen e parë të Championsit në 16 shtator.

Sfidanti.al