MLS, Inter Miami merr formë, Beckham blen dy futbollistët e parë

David Beckham vijon t’i japë formë skuadrës së tij Inter Miami për kampionatin e vitit 2020 në Major League Soccer në SHBA. Ish kapiteni i Mancester Junajtid dhe Anglisë që tani është pronari i Inter Miamit këtë të shtunë bëri të ditur dy blerjet e para në historinë e kësaj skuadre.

Bëhet fjalë për dy të rinjtë argjentinas, Matias Pelegrini i skuadrës Estudiantes de la Plata dhe Hulian Karansa i Banfield. Inter Miami e njoftoi nënshkrimin me këta futbollistë nëpërmjet një komunikatë për shtyp duke shtuar se si Pelegrini ashtu edhe Karansa do të qëndrojnë te skuadrat e tyre aktuale deri në momentin kur Inter Miami do të nisë të luajë në MLS.

Blerjet e Pelegrinit dhe Karansës rezultuan një surprizë e vërtetë për ata që janë bërë tashmë tifozë të Inter Miamit dhe së shpejti pritet që klubi të njoftojë për blerje të tjera të këtij klubi. Ndërkaq, në Florida po ndërtohet edhe stadiumi i ri i Inter Miamit në zonën e Freedom Park, punimet për të cilin do të përfundojnë në 2021. Megjithatë klubi ka arritur një marrëveshje për të luajtur sezonin e tij të parë në Fort Lauderdale

sfidanti.al