Dy kampionët e fundit të Europës po “hanë dru si herët”

I pari u mposht 3-7 në një derbi që nuk mund të jetë miqësor, ndërsa tjetri u shkatërrua 0-3 në një miqësore që nuk u duk si e tillë. Reali i Madridit dhe Liverpuli sikur po i lënë njëri-tjetrit stafetën e dështimit, ndonëse kjo mund të mos ndikojë edhe aq keq në sezonin që pritet të fillojë.

Madrilenët e filluan “serinë” me katastrofën ndaj Atletikos, ndërsa Liverpuli e pësoi keq këtë të diel, 0-3 ndaj Napolit, në miqësoren e luajtur në stadiumin “Marrejfild” në Edinburg të Skocisë. Kampionët e Europës në fuqi i kishin dhënë sinjalet negative kur ishin mundur 2-3 nga Dortmundi dhe 1-2 nga Sevilja, duke shpëtuar me barazim 2-2 ndaj Sportingut të Lisbonës, por kaq keq nuk u kishte ndodhur.

Me mjaft lojtarë ende jashtë forme, pa entuziazëm dhe pa energji, të kuqtë e Jurgen Klopit “hëngrën dru si herët”, ndërsa napolitanët e Karlo Ançelotit shënuan me anë të Insinjes, Milikun dhe Junesit. “Më vjen keq për humbjen, por kjo është forma e momentit, – tha Klopi më pas, – shpresojmë të ndryshojmë shpejt, edhe pse nuk do të jetë e lehtë”. Besohet se lojtarë të rëndësishëm si Salah, Mane, Firmino, Alison apo Shaqiri do të kthehen shpejt, veçse finalja e Superkupës së Anglisë ndaj Mançester Sitit do të jetë shumë shpejt, të dielën e ardhshme.

Sfidanti.al