Inter, fundjava e fundit për Xhekon dhe Lukakun

Te Interi vazhdon pritja e Antonio Kontes dhe tifozëve të skuadrës. Ditët kalojnë dhe sulmuesit që po kërkohen nga zikaltrit nuk po vijnë në Apiano Xhentile. Interi po merr formë, por pa pasur një siguri për repartin e sulmit dhe kjo nuk është dicka e pakët. Duket se java e ardhshme do të jetë vendimtare për Marotën dhe Auzilion të cilët u kthyen përpara kohe nga Kina.

Edin Xheko është një prej emrave më të lakuara nga Interi dhe alternativat për boshnjakun janë 2; ose të arrijë akordin me Romën ose do të ndryshohet objektiv. Interi nuk ka ndërmend të ofrojë më shumë se 12-15 milionë Euro, ndërkohë që Roma kërkon 20 milionë Euro për sulmuesin 33 vjecar të cilit për më tepër vitin tjetër i skadon kontrata me verdhekuqtë.

Kështu që nëse nuk do të jetë Xheko, atëherë sytë shkojnë nga Jorente që ka një profil që pëlqehet nga Konte, ndërkohë që po përmendet edhe emri i të riut Rafael leao që pëlqehet nga drejtuesit, por që nuk është prioritet për trajnerin.

Në fakt Konte dëshiron një tjetër emër, Romelu Lukaku. Edhe për belgun afati i fundit është fundjava e ardhshme. Oferta është gati por nuk e kalon kufirin e 75 milionë Eurove keshtu që gjithcka do të mbetet në duart e Mancester Junajtid. Nëse përgjigjja do të jetë sërish negative, atëherë edhe në këtë rast Interi do të ndryshojë drejtim për të shkuar nga Duvan Zapata të cilin Atalanta nuk e vlerëson më pak se 55 milionë Euro

Sigurisht e gjithë kjo cështje ndikohet nga situata e Mauro Ikardit që vazhdon të jetë e bllokuar, ashtu sikurse edhe ajo e largimit të mundshëm të Perishic që është provuar në rolin e sulmuesit. Por ndërsa në sulm diskutimet janë bllokuar, në mesfushë cështja e krijuar është ajo e Naingolan. Belgu do të lërë një boshllëk të madh në këtë repart dhe te Interi janë të ndërgjegjshëm për këtë. Por kjo ndodh edhe te Barcelona ku mesfusha është e mbipopulluar. Katalanasit po kërkojnë një sistemim si për Ivan Rakitic ashtu edhe për Arturo Vidal dhe sipas asaj që publikohet te Mundo Deportivo dhe Sport të dy lojtarët i janë ofruar Interit.

Konte i pëlqen që të dy këta futbollistë, por jo që t’i ketë në mënyrë të menjëhershme, kjo sepse fillimisht ai duhet të zgjidhë cështjen e repartit të sulmit.

sfidanti.al