Podiumi i garës së 400 m stil i lirë në Botërorin e notit të Gvangju, ishte i njëjti me atë të botërorit të Budapestit me Sun Jang fitues i medaljes së arte, Detti në vendin e dytë dhe Mak Horton në të tretin, ndryshimi qëndron te fotografia e podiumit.
Këtë radhë Horton vendosi të mos ngjitet në podium në shenjë proteste duke bërë që fotografia e podiumit të bëjë historinë. Australiani ishte i vendosur që të mos kishte të bënte me notarin kinez madje as nuk denjonte të shihte kampionin e botës i cili prej kohësh është vënë në qendër të polemikave.
Në maj të vitit 2014, Sun Jang rezultoi pozitiv në testet antidoping pasi u gjetën gjurmë të një stimuluesi, por u dënua nga Federata Kineze e Notit me vetëm 3 muaj pezullim me Sun Jang që u kthye në kohë për Lojërat Aziatike.
Më pas, në shtator shpërthyen të tjera polemika pasi ai u dyshua për shpërndarjen e një provëze me gjakun e tij duke evituar skualifikimin. Një cështje të cilën WADA e dërgoi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv me këtë të fundit që do të japë verdiktin e saj vetëm në muajin shtator, pasi të jetë mbyllur botërori.
Gjithë kjo histori bëri që australiani të shfaqet i vendosur për të mos u ngjitur në podium bashkë me Sun Jang, një moment ky që nuk do të harrohet.
‘Veprimet e tij dhe mënyra sesi u administrua e gjithë kjo cështje flasin vetë-tha Horton pas ceremonisë së dhënies së medaljeve me australianin që e sulmoi Sun Jang duke i thënë ‘drug cheat’ (mashtrues me doping). Kinezi nuk e pëlqeu aspak një deklaratë të tille duke e përkufizuar veprimin e Horton si një mungesë respekti ndaj tij, ndërsa italiani Detti preferoi që të mos përfshihet në këtë debat duke thënë se Sun fitoi me meritë dhe se nëse ai ishte në këtë botëror ishte për faktin se u lejua pavarësisht zërave që qarkullojnë’
sfidanti.al