Federer-Nadal, përballë në Uimbëlldon 11 vjet pas finales së madhe!

Ai ka fituar atë që mbiquhet “finalja më e madhe në historinë e tenisit”. Rafael Nadal e arriti më në fund njërën prej dëshirave të shprehura me sytë mbyllur para fillimit të Grand Slemit të Londrës, një tjetër përballje me Rozher Federerin. Më herët ishte zvicerani 37-vjeçar që u kualifikua për në gjysmëfinale, me suksesin 3-1 ndaj japonezit Kei Nishikori. Nuk kaloi shumë dhe spanjolli bëri detyrën, 3-0 ndaj amerikanit Sam Kerrej, dhe dy tenistët më fitues për të gjitha kohët krijuan duelin e Uimbëlldonit. i pari në turneun më të vjetër të botës, që nga finalja “më e madhe e historisë”, ajo e vitit 2008 fituar nga Rafael Nadal.

Tenisti 33-vjeçar shpreson të realizojë ëndrrën tjetër “në sirtar”, atë të fitores në Londër, për herë të tretë në karrierë, dhe të parën që nga viti 2010. “Është shumë domethënëse për mua që të jem sërish përballë Rozherit në këtë turne pas 11 vjetësh, – tha Nadali, – besoj, kështu është edhe për të. Është një mundësi e madhe, një kënaqësi e madhe. Gjithnjë them që, sa më shumë kalojnë vitet, aq më pak mundësi kemi që të ndeshemi, por ja ku jemi sërish këtu”. Spanjolli nuk është specialist i barit, zvicerani është më i miri këtu, por 4 vjet diferencë mund të ndihmojnë Rafën. Gjysmëfinalja tjetër është mes numrit 1 të botës, numrit 1 të turneut, Novak Gjokoviçit (kampion në fuqi), dhe spanjollit tjetër, Bautista Agut.

Sfidanti.al