Ndjenja krejt të kundërta në Brazil dhe në Argjentinë pas gjysmëfinales së Kupës së Amerikës. Nëse vendasit u lumturuan për suksesin, e arritur në mënyrë praktike, “gauçosit” gjetën fajtorin, që sipas tyre ishte arbitri.
Vetë Lionel Mesi ishte i tërbuar me njeriun që vendosi drejtësinë në fushë, duke pretenduar penallti, pas episodeve që ndodhën në zonën e rreptësisë së Brazilit, me Agueron dhe Otamendin.
“Ishte arbitri që na nxorri nga loja me vendimet e tij të çmendura, – u shpreh lojtari më i mirë i botës, – meritonim ta fitonim ndeshjen, por nuk na lejuan. Përse gjyqtari nuk u këshillua me VAR-in për rastet e penalltive? Brazili nuk ishte më i mirë se ne”.
Për trajnerin e Brazilit, Tite, gjëja kryesore ishte që u ndal pikërisht Mesi. “Ishte një fitore shumë e vështirë, – deklaroi ai, – shënuam gol, dhe vuajtëm presionin e Argjentinës, duke qenë efikasë dhe vendimtarë. Mesi është një alien dhe jam i lumtur që arritëm të mbulonim një lojtar të tillë, që meriton gjithë adhurimin që kanë tifozët për të. U desh të ndryshonim strukturën e ekipit për t’ia dalë”.
Jehona ishte e madhe edhe në media. Në Brazil, “O Dia”: Brazili hedh tej vëllezërit! Gabriel Zhezus mrekullon dhe udhëheq fitoren e seleksionit brazilian ndaj Argjentinës, 2-0 në Mineirao!
“Estado de Minas”: Lamtumirë vëllezër! Me paraqitjen vendimtare të Gabriel Zhezusit, Brazili mund Argjentinën dhe është në finale! Ja si e përjetoi Mesi humbjen ndaj “Selesaos”!
“Tribuna”: Lamtumirë Mesi! Në mbrëmjen ku mbretëroi Dani Alvesh, Leo nuk mundi të ndihmonte kombëtaren e tij!
Në Argjentinë, “Klarin”: Brazili ndali Argjentinën, me lojë të thjeshtë dhe praktike! Kombëtarja luajti ndeshjen më të mirë, por nuk ia doli. Mesi shkëlqeu dhe Seleksioni pati shanset e tij, por nuk mjaftoi!
“La Gaseta”: Edhe një herë me duart bosh! Duke luajtur në mënyrë dinjitoze dhe pa e merituar humbjen, Seleksioni u eleminua në gjysmëfinale të Kupës! Rezultati 2-0 ishte i ekzagjeruar, por Brazili u tregua praktik! Mesi vazhdon të mos fitojë me kombëtaren!
Sfidanti.al