Juventusi apo Reali? Ku është “shkruar” fati i Pol Pogbasë

Një kryqëzim i vërtetë, duke theksuar se nuk dëshiron të vazhdojë në “Old Traford”. Pol Pogba mund të ketë verën e fundit në Angli, por destinacioni i ardhshëm ende nuk dihet. Juventus apo Real Madrid? Një vendim i vështirë për kampionin e botës, që duhet të refuzojë një nga ëndrrat. Me Juventusin e lidh e kaluara, sezonet shumë të bukur në krah të yjeve si Pirlo, Tevez, Kielini e Bonuçi, duke fituar tituj e duke arritur në finalen e Championsit, humbur ndaj Barcelonës.

Zemra e Pogbasë thotë “Torino”, veçse në këtë histori është futur një personazh që 26-vjeçari e vlerëson lart, Zinedin Zidani. Trajneri i rikthyer e thërret tek Reali, dhe vetë mendimi se mund të veshë fanelën më mitike në botë, është një “tërheqje fatale”. Pogba është me pushime deri në 7 korrik, kuptohet duke u marrë edhe me punë me sponsorët, ndërsa deri në atë kohë duhet të ketë ndarë mendjen. Mançester Junajtidi mesa duket e di se nuk do ta mbajë dot, dhe ka vendosur çmimin, të paktën 150 milionë euro, pse jo 170!

Sfidanti.al