“Muri i Dortmundit”, Borusia investon jo veç për këmbë, edhe për tulla

Deri në 1989, në Europë njihej Muri i Berlinit, shembja e të cilit dhe ndryshimet në lindje frymëzuan grupin gjerman Skorpions për këngën-hit “Era e Ndryshimit” (The Wind of Change). Sot, në Gjermani është duke u ngritur një tjetër mur, shumë më modest sesa ai berlinez, por me shumë rëndësi për Borusian e Dortmundit. Klubi i shquar shpenzoi 20 milionë euro për të rrethuar kompleksin stërvitor, në mënyrë që skuadra e trajnerit Lysien Favre të punojë në izolim të plotë, e pashqetësuar dhe e paspiunuar nga rivalët.

Tabloidi “Bild” shkruajti me shaka se “Dortmundi investon jo vetëm për këmbët (lojtarët), por edhe për tullat (murin), ndërsa kompleksi stërvitor i klubit është po aq i sigurt sa edhe baza e famshme ushtarake amerikane, Fort Noks (Knox)”. Do të duhen 3 vjet që “muri verdhezi” të ndërtohet, bashkë me infrastrukturën e re në Brakel. “Bildi” shkruan se drejtuesit e klubit nuk u frymëzuan nga Muri i Berlinit apo Skorpionsët, por deshën që lojtarët e tyre të ishin më të sigurt, sidomos pas sulmit që iu bë autobusit të ekipit gjatë një ndeshjeje të Championsit.

Sfidanti.al