Brazil, sa e vështirë qenka të fitosh Kupën e Amerikës

Jo më kot nga 47 edicione të luajtura deri tani, skuadra e madhe ka mundur të fitojë vetëm 8. Kupa e Amerikës nuk e “përkëdhel” aspak Brazilin, i cili ka shkëlqyer shumë më tepër në Kupën e Botës, dhe ashpërsia e turneut amerikanolatin u kuptua sërish nga përballja çerekfinale ndaj Paraguajit. Kualifikim më shumë sesa i vuajtur, pas 120 minutave të mbyllura “me dryn”në Arenën e Gremios, dhe çlirim vetëm pas gjuajtjes së penalltive.

Në një fushë ndoshta tipike braziliane, në gjendje jo të mirë, vendasit e patën të vështirë të tregonin epërsinë e tyre teknike dhe klasin prej “Europe”, por kjo edhe sepse kundërshtarët u mbrojtën shumë mirë. Raste pati pak, edhe ato u humbën siç ishte ai i Gabriel Zhezusit, por lojtari i Sitit u tregua vendimtar tek penalltitë. Roberto Firmino gaboi nga 11 metra, portieri Alison bëri pritje, dhe Gabriel Zhezus vulosi kualifikimin. Tani, detyra bëhet edhe më e vështirë, pasi ndoshta në gjysmëfinale do të jetë përballë Argjentina.

Fati i Brazilit mund të jetë që Argjentina nuk duket aspak në formë, dhe që Kupa luhet në qytetet e tij, ndërsa tradita është e vështirë. i madhi Pele nuk fitoi dot asnjë Kupë të Amerikës, ndoshta turneu i vetëm që i mungon, ndërsa “selesao” triumfoi vetëm 1 herë në 67 vjet, që nga 1922 deri në 1989.

Sfidanti.al