Mosha e tij është 21 vjeç, dhe cilësitë e tij janë të larta. Quhet Aron Uan-Bisaka, ka origjinë afrikane nga Kongo, por ka zgjedhur të luajë për Anglinë, dhe normalisht në Premier Ligë. Për kartonin e këtij djaloshi ende të ri, Mançester Junajtid ka rënë dakord të paguajë plot 60 milionë paundë stërlina (rreth 67-68 milionë euro), duke e bërë një nga blerjet më të shtrenjta për një 21-vjeçar në histori.
Duket, pra, se Uan-Bisaka qenka një talent “i mbaruar”, apo një futbollist “i tmerruar” (siç do të shkruante Fan Noli, në stilin e tij). Jo më kot, ai u zgjodh si Lojtari më i mirë i sezonit të kaluar për Kristël Palasin në Premier Ligë, ndërsa fitoi çmimin si lojtari i muajit për ekipin e tij në mars, gusht, shtator e tetor 2018 si dhe në mars 2019. Do të jetë e hidhur që Palasi të humbasë një yll të ri, thuajse prodhim i akademisë së tij (që nga mosha 11 vjeç), por e ardhmja e Uan-Bisakës është padyshim në një klub të madh si Mançester Junajtidi.
Sfidanti.al