Milan-Inter, arrihet akordi për stadiumin e ri; gati në 3 vjet, kosto 700 milionë Euro

Milan dhe Interi tashmë janë gati të bëjnë edhe hapin e fundit në lidhje me stadiumin e ri të tyre. Pas shumë muajsh mes zërave spekulativë, klubet vendosën të ndërmarrin hapa konkretë dhe do të paraqesin në Bashkinë e Milanos kërkesën zyrtare për ndërtimin e impiantit të ri të tyre.

Ideja fillestare për ristrukturimin e ‘Giuseppe Meazzas’ u la mënjanë duke u zëvendëuar nga ajo për një projekt të ri me një kosto prej 700 milionë Eurosh që sipas përllogaritjeve pritet të jetë gati për sezonin 2022/23.
Pavarëisht protestave të nostalgjikëve të futbollit kundër shembjes së San Siros së vjetër, dy klubet milaneze shohin drejt së ardhmes dhe sipas asaj që publikohet te ‘La Repubblica’, brenda fundit të këtij muaji pritet të jepet edhe miratimi për stadiumin e ri.

Tashmë Milani dhe Interi po punojnë së bashku për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm që t’ia paraqesin Bashkisë; projektin e impiantit dhe zhvillimin urbanistik të zonës ku do të jetë ky stadium në mënyrë që Bashkia Milano të ndezë dritën e gjelbër për nisjen e punimeve brenda javës së fundit të kampionatit të ardhshëm të Serisë A.
Kostoja totale e stadiumit të ri të Milanit e Interit do të jetë rreth 700 milionë Euro dhe inaugurimi i tij pritet të bëhet në sezonin 2022/23. Nëse nuk do të dalin pengesa, stadiumi i ri do të ndërtohet përkrah Meazzas, ku për momentin është parkingu. Zona që do të krijohet nga shembja e San Siros do të duhet të përdoret në një mënyrë tjetër.

sfidanti.al