Frenk Lampard është zgjedhja e Celsit për të zëvendësuar trajnerin italian Mauricio Sarri që këtë të enjte bëri prezantimin e tij si teknik i Juventusit. Lajmi bëhet i ditur nga ‘London Evening Standard’ sipas të cilit, klubi londinez pritet të bëjë zyrtarizimin e tij në stolin e Bluve, javën e ardhshme.
Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Frenk Lampard do të nënshkruajë me Celsin një kontratë 3 vjecare, por nuk jepet as një detaj tjetër. Ndërkaq, po sipas ‘London Evening Standard’ Derbi të cilin e drejton aktualisht Lampard do t’i kërkojë Celsit një shumë prej 4 milionë Paund si kompesim për të lënë atë të lirë që të bashkohet me klubin ku u shndërrua në një simbol.
Ndërkaq, Celsi nëpërmjet një postimi në Tëitter uroi Frenk Lampard për 41 vjetorin e tij të lindjes që e kishte pikërisht të enjten e 20 qershorit duke bërë që tifozët e Bluve të Londrës të krijojnë shumë iluzione për ardhjen e tij. Për Frenk Lampard, ky do të jetë një rikthim te Celsi ku ai ka kaluar 13 sezone si futbollist nga 2001-2014 duke zhvilluar me fanelën e Bluve 429 ndeshje me 147 gola të shënuar.
sfidanti.al