A mund të ndodhë? Dortmundi kërkon Humelsin në “shtëpi”!

Ai është ende titullar, por nuk dihet edhe për sa kohë. Mats Humels mund të jetë duke zhvilluar luftën e jetës tek Bajerni, dhe Dortmundi kërkon ta ndihmojë për të plotësuar edhe interesin e tij. Drejtuesit e Borusias shpresojnë të bindin mbrojtësin e qendrës për t’u kthyer në “shtëpi”, pra në skuadrën ku luajti shumë vite dhe fitoi dy tituj.

Gazetat gjermane shkruajnë se shefi ekzekutiv i verdhezinjve Vacke, si dhe drejtori sportiv Cork, i kanë vënë vetes detyrë të bisedojnë me Uli Hënesin dhe Karl-Hajnc Rumenigen, por mendohet se këta të dy do ta lenë gjithçka në dorë të trajnerit Niko Kovaç. Vetëm nëse kroati do të jetë dakord, transferimi mund të kryhet.

Humelsi 30-vjeçar e nisi karrierën tek Bajerni, që në vitin 1995 kur ishte 7 vjeç. Në 2008, ai kaloi huazim tek Dortmundi, ndërsa në 2009 kartoni i tij u ble për 4 milionë euro. Me Borusian luajti 8 vjet dhe fitoi dy tituj e një Kupë të Gjermanisë, ndërsa në 2016 u kthye tek Bajerni ku doli edhe 3 herë të tjera kampion. Besohet se nuk do të jetë e lehtë që Bajerni të pranojë ta humbasë, ndërsa Humels duhet të gjykojë drejt, nëse mund të luajë siç duhet në Mynih, apo ta ketë më të lehtë në “Signall Iduna Park”.

Sfidanti.al