Zidan e di që s’do ta ketë Mbapenë, ultimatum për Pogbanë!

Nuk është më ai Zinedin Zidan i buzëqeshur dhe i ëmbël, por një trajner tjetër. Nga brenda skuadrës të thonë se francezi është më i ftohtë dhe më i distancuar, besohet se kjo sjellje deri diku ndodh edhe kur bisedohet me presidentin Florentino Perez. Zidan dëshiron të vendosë autoritetin e tij në klub, dhe të tregojë se tre Champions radhazi ishin meritë edhe e tij, jo thjesht fati që në skuadër ishte Kristiano Ronaldo.

Një nga rrjedhimet e Zidanit “të ri” është kërkesa thuajse ultimative për Pol Pogbanë. Duket se dëshira e trajnerit nuk është plotësisht edhe e Perezit, pasi presidenti nuk është shumë entuziast për një mesfushor që, sipas tij, nuk e justifikon shpenzimin prej ndoshta 150 milionë paundë stërlinash (gati 170 milionë euro). Perez do të pëlqente Eriksenin e Totenhemit, që mund të merrej më lirë, por Zidan është i vendosur, në fund të fundit ai u kthye tek Reali pasi mori premtimin se skuadra do të ndërtohet siç do trajneri.

Zizuja e ka të qartë se do të jetë tepër, tepër e vështirë, praktikisht e pamundur, të merret Kilian Mbape nga Paris SG, të paktën këtë vit. Po ashtu, ai ndan shqetësimin e presidentit për problemet fizike të Nejmarit. Atëherë, “i pikuari nga qielli” është Pogba, pasi më parë u morën Hazar, Mendi, Joviç, Rodrigo e Militao.

Sfidanti.al