Fitore donim, fitore morëm; Kombëtarja i imponohet Moldavisë 2-0, Reja i gëzohet suksesit të parë

Fitorja ndaj Moldavisë është një detyrim; ishte kjo fraza e përdorur shpesh në orët përpara sfidës së Kombëtares Shqiptare dhe skuadrës moldave për ndeshjen e radhës së kualifikueseve të Euro 2020. Dhe kuqezinjtë nuk zhgënjyen në ‘Elbasan Arena’ teksa fituan këtë përballje 2-0, me Edi Rejan që u clirua pas mbylljes së ndeshjes pasi siguroi fitoren e tij të parë si trajneri i skuadrës sonë përfaqësuese.

Ishte një pjesë e parë ku skuadra jonë kombëtare shprehu më shumë në fushën e lojës në krahasim me rivalët moldavë. Kuqezinjtë e Edi Rejës krijuan volum të lartë loje duke sulmuar shpesh portën e Moldavisë. Armando Sadiku ishte ai që pati rastin më të mirë me një goditje në hyrje të zonës por portieri i Moldavisë grushtoi topin e goditur prej tij. Lenjani pati shansin e tij për të bërë më mirë, por gaboi. Pjesa e parë u mbyll 0-0 pavarësisht përpjekjeve të skuadrës sonë përfaqësuese për të gjetur rrugën e golit.

pjesa e dytë pati të njëjtën tablo me kombëtaren tonë që kërkonte vazhdimisht portën moldave. Gjërat ndryshuan në momentin kur Edi Reja vendosi të hedhë në fushën e lojës Odise Roshin e Sokol Cikalleshin. Ishin këta dy futbollistë që bënë të mundur që Kombëtarja të kalojë në avantazh. Odise Roshi me një driblim në të majtin gatoi aksionin e golit të shënuar nga shumë pranë portës nga Cikalleshi. Në minutat në vazhdim u duk sikur kuqezinjtë lëshuan pak terren, por në minutat shtesë kuqezinjtë shënuan edhe golin e dytë me Ylber Ramadanin duke bërë që të shërthejë festa te tifozët kuqezi. Në fund rezultati ishte 2-0 me Kombëtaren shqiptare që ngjitet në kuotën e 6 pikëve dhe duke ruajtur shpresat për një kualifikim të mundshëm.

sfidanti.al