Kristiano Ronaldo: Më interesoi fitorja e trofeut, jo Topi i Artë!

Portugalia u bë fituese seriale, dhe padyshim meritën më të madhe e ka numri 7. Kapiteni Kristiano Ronaldo udhëhoqi skuadrën në këtë arritje të madhe, ashtu siç bëri në Francë, dhe ndoshta do t’i bindë të gjithë se meriton të cilësohet si lojtari më i mirë portugez i të gjitha kohëve, edhe mbi legjendën Euzebio.

Ylli i Juventusit nuk ishte i mrekullueshëm si në fitoren ndaj Zvicrës, ku shënoi 3 gola, por sërish ishte faktor vendimtar në fushë, përballë një Holande të mbushur me talent dhe lojë spektakolare. Vetëm një karakter i fortë dhe ambicia e tij e pakufishme mund të bënte Portugalinë fituese, edhe pse “luzitanët” ishin shumë më tepër sesa Kristiano.

“Jam shumë i lumtur, – u shpreh CR7-ta, – Ishte një fitore shumë e rëndësishme për të gjithë Portugalinë dhe për kombëtaren. Që nga viti 2016, ne e kemi ndryshuar historinë tonë, dhe ja ku fituam një tjetër trofe”.  Gazetari e pyeti nëse kjo fitore e afroi me Topin e Artë, dhe Ronaldo u përgjigj. “Synimi im për ndeshjen ishte që të fitonim dhe të luaja mirë, jo Topi i Artë”, – tha ai.

Trajneri Fernando Santos gjithashtu fitoi trofeun e dytë në stol, duke e konfirmuar veten si një teknik tepër i zoti me ekipet përfaqësuese. “Ne kemi lënë një shenjë të madhe për Portugalinë duke luajtur në këto finale, – tha ai, – Botërori nuk shkoi siç shpresuam, por ne menduam për të ardhmen, fituam, dhe mendoj se vitet e tjerë do të jenë edhe më të shkëlqyer. Portugalia ka shumë lojtarë të talentuar. Ky ishte edicioni i parë i Ligës së Kombeve, pra fitorja jonë ishte historike”.

Tifozët portugezë, ndërkaq, u ndjenë të lumtur pas ndeshjes. Kombëtarja e tyre më në fund është pjesë e përfaqësueseve të mëdha, që kanë fituar trofe në historinë e tyre. Ata theksuan se Portugalia mund të imitojë Spanjën, Francën, Gjermaninë apo Italinë, për të qenë një Superfuqi e futbollit europian.

Sfidanti.al