Nuk ishte aspak momenti për shampanjë. Një Sebastian Fetel i tërbuar doli nga Ferrari i tij në përfundim të Çmimit të Madh të Kanadasë, i bindur se ndaj tij ishte bërë një padrejtësi. Edhe pse Feteli e kaloi i pari vijën e mbërritjes në pistën e Montrealit, ai nuk u shpall fitues, pasi ishte ndëshkuar me 5 sekonda shtesë në kohën e tij, gjë që ia dha suksesin Hamiltonit. Piloti i Ferrarit u nis nga vendi i parë, dhe kryesoi thuajse gjatë gjithë Çmimit të Madh, ndonëse në fund fitorja i iku nga duart.
“Ky nuk është sporti me të cilin unë kam rënë në dashuri, – tha Feteli pas garës, – sot po na duket vetja si juristë, dhe kjo nuk ka kuptim. Unë jam një puritan, më pëlqen të hedh shikimin pas dhe të kujtoj kohët e vjetra, pilotët e dikurshëm. Unë bëra thjesht një veprim prej piloti, dhe Ljuisi reagoi, por për mua kjo është normale. Dikur këto gjëra kanë qenë të zakonshme. Nuk më dhemb fakti që humba sot, por po shkelet fryma e këtij sporti”.
Hamiltoni nuk u shpreh i lumtur për mënyrën sesi u mbyll gara. “Natyrisht, nuk ishte kjo mënyra sesi e doja fitoren, – tha Hamiltoni, – u përpoqa të fitoja në pistë dhe të parakaloja. E detyrova Fetelin të gabonte, ai doli nga pista, dhe më pas desh u përplasëm, por kështu e kanë garat. Feteli ka mendimin e tij, por unë mendoj se kur kthehesh në pistë, duhet ta bësh brenda normave të sigurisë. Gjithsesi, vendimin nuk e mora unë”.
Kjo ishte fitorja e 7-të e Hamiltonit në Kanada, dhe e 78-ta në karrierë, vetëm 13 suksese larg rekordmenit Shumaher. Pesë herë kampioni i botës thelloi kryesimin në renditjen e Formula 1, me 162 pikë ndaj 133 të shokut të tij të skuadrës, Valteri Botas.
Sfidanti.al