Si u shua karriera e Arton Zekajt

Arton Zekaj ishte një prej talenteve më të vlerësuar të futbollit serb, por karriera e tij nuk mori zhvillimin që pritej. Kapiten i disa prej grupmoshave të Serbisë, më pas zgjodhi Kosovën dhe në moshën 18-vjeçare iu bashkua Lille në Francë. Sot, mesfushori është pa klub.

I lindur më 16 prill 2000 në Suboticë, Zekaj u formua te Spartak Subotica dhe më pas kaloi te Partizani i Beogradit. Me Serbinë U15, U16 dhe U17 mbajti edhe shiritin e kapitenit, ndërsa në vitin 2018 erdhi transferimi te Lille me një kontratë trevjeçare.

Në vitin 2019, Zekaj zgjodhi të përfaqësonte Kosovën, për shkak të origjinës familjare. Ai iu bashkua Kosovës U21 dhe debutoi më 9 shtator të atij viti.

Në total, regjistroi pesë paraqitje me U21, ndërsa në një ndeshje ndaj Shqipërisë mbajti edhe shiritin e kapitenit.

Por në nivel klubesh, gjërat nuk shkuan sipas pritshmërive. Me ekipin e parë të Lille, Zekaj luajti vetëm një ndeshje, ndërsa me Lille II regjistroi 16 paraqitje. Në vitin 2021 u largua nga klubi francez. Pas largimit nga Franca, karriera e tij vijoi në nivele më të ulëta.

Në sezonin 2022–2023 luajti për Tisa Adorjan në Serbi, ndërsa në sezonin 2024–2025 provoi një tjetër aventurë në Luksemburg me Swift Hesperange, ku pati 15 paraqitje dhe shënoi një gol. Pas kësaj periudhe, paraqitjet e tij në futbollin profesionist u bënë gjithnjë e më të rralla. Sot, Arton Zekaj është pa klub. Një karrierë që nisi me shiritin e kapitenit të Serbisë, vazhdoi me zgjedhjen për Kosovën dhe një transferim te Lille, përfundoi shumë larg asaj që premtonte në fillim.