Na kishte marrë malli për sulmuesin Cikalleshi, donim ta shikonim duke bërë golin e radhës, ose të godasë shtyllën të paktën, por sulmuesi shfaqet në një intervistë me “qokën” e radhës . Sa herë që gëzohemi me trajnerin e ri të Kombëtares, disa nga futbollistët fitojnë “magjinë” e orakujve për të ndritur të ardhmen kuqezi. “Cikja” e parandjen se me Rejën punët e sulmit do të ndryshojnë kokë e këmbë: “ Do të shënojmë më shumë gola me trajner Edi Rejën..” E kemi bërë më trajnerët e tjerë, kur kemi pretenduar gola në portën armike dhe jemi kapur duke “sulmuar” edhe portën tonë, si në rastin e Panuçit me Turqinë , ku Edi Reja ishte përfituesi i madh, ndaj le të urojmë që të ndryshojmë portën…atë që do të sulmojmë!
Që do të vijnë më shumë gola, është Cikalleshi që i bie kambanës, ndërsa Hysaj, “mbrojtësi pa gojë” kur luan me Napolin, sapo vishet kuqezi..nuk ka frena në lojën e intervistave. Këtë herë, nuk flet për horoskopin e golave, do bëjmë më shumë gola apo do pësojmë më shumë, por bekon largimin e trajnerit Panuçi, pasi nga Kombëtarja qënka larguar një trajner diktator .Një “palo- italian” që paska vjedhur edhe lirinë e futbollistëve tanë, që kanë gjetur presidentin ideal, por afti nuk po u ecën me trajnerin.. Sikur të ishte kjo e vërteta, do ta puthnim në ballë Hysajn, por.. kemi përcjellë një dyzinë me trajnerë edhe për meritë të “shqiponjat e lodhura” dhe diktatura që përdredh kombëtaren ka mbetur e pacënuar, madje është forcuar me kalimin e viteve, sepse nuk vjen nga stoli i trajnerit, por vjen lart nga froni …
G.Sinemati
Botuar ne Panorama Sport