Vizita në Azerbajxhan ishte paraqitur si udhëtim pune. Andrea Anjeli ka detyra në UEFA dhe duhej të ishte me domosdo në finalen e Ligës së Europës, por pse të mos bënte një rrugë e dy punë? Presidenti i Juventusit u fotografua (foto e botuar nga Tutosporti) në hotelin e Çelsit në Baku, duke u takuar me presidentin e bluve, Brus Bak. Nuk dihet se çfarë është folur mes tyre, por nuk ta do mendja që të mos jetë diskutuar fati i Mauricio Sarrit, trajnerit “hallemadh” të londinezëve.
Juventusi e kërkon Sarrin për vete, pas largimit të Alegrit, dhe lajmet janë që Çelsi do të binte dakord nëse do t’i paguheshin 5 milionë paund stërlina, rreth 5.5-6 milionë euro, diçka që nuk është problem për kampionët e Italisë. Madje, thuhet se drejtuesit torinezë paskan informuar edhe lojtarët se trajneri i ardhshëm do të jetë Sarri.
Italiani ishte në prag të shkarkimit në fillim të fazës së dytë, kur humbi finalen e Kupës së Ligës dhe pati vështirësi në Premier Ligë, por përfundimisht doli në vend të tretë, u kualifikua për në Champions, dhe fitoi Ligën e Europës. Kjo do të thotë se sezoni i tij i parë në “Stemford Brixh” mund të quhet relativisht i suksesshëm, por gjithsesi pritet që të largohet për në Torino.
Sfidanti.al