Nejmar nuk është me kapiteni i përfaqësueses braziliane. Vendimi është marrë në mbrëmjen e së hënës nga trajneri Tite pas një akordi me Federatën Braziliane të Futbollit. Motivi i marrjes së këtij vendimi është sjellja aspak e mirë e Nejmarit në përfundim të finales së Kupës së Francës mes Paris Sën Zhermenit dhe Ren kur braziliani goditi një tifoz.
Ky gjest i kushtoi sulmuesit 27 vjecar që u dënua me 3 ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Franceze të Futbollit, ndërkohë që edhe te përfaqësuesja 5 herë kampione e botës askush nuk mund të rrinte indiferent ndaj atij episodi edhe pse ndodhi përpara 1 muaji. kështu që u mor vendimi për heqjen e shiritit të kapitenit Nejmarit duke ia dorëzuar atë Dani Alveshit që do ta vendosë atë që në ndeshjet miqësore që Brazili do të luajë ndaj Katarit dhe Hondurasit dhe në sfidat e Copa America.
Dani Alvesh është futbollisti që ka më shumë ndeshje të luajtura me përfaqësuesen braziliane, 138 dhe herën e fundit që ai u pa në fushën e lojës në rolin e kapitenit ishte në mars të 2018 në një ndeshje miqësore ndaj Gjermanisë. Brazili që nuk e fiton Kupën e Amerikës që nga viti 2007, do të bëjë debutimin e tij në këtë kompeticion në 14 qershor me ndeshjen e hapjes ndaj Bolivisë.
sfidanti.al