Fantazmat e Liverpulit i kishin marrë me vete edhe në stadiumin “Benito Vijamarin” të Seviljes. Futbollistët e Barcelonës, me në krye Lionel Mesin dhe trajnerin Valverde, pësuan tronditjen e dytë radhazi, pasi Valencia i mundi në finalen e Kupës së Mbretit dhe i mori trofeun. Katalanasit kishin 4 herë radhazi që triumfonin në këtë konkurrim, sapo kishin dalë për herë të dytë kampionë të Spanjës, por kur gjyqtari vërshëlleu fundin, atmosfera ishte sikur dështimi ishte total. Nga ëndrra për triumfin e trefishtë La Liga-Champions-Kupa e Mbretit, Barça u detyrua të kënaqej vetëm me titullin spanjoll.
Kevin Gameiro shënoi në minutën e 22-të, Rodrigo Moreno shtoi të dytin në 33’, ndërsa për Barcelonën nuk mjaftoi goli i Lionel Mesit në të 73-ën. Valencia e meritoi suksesin, duke luftuar më shumë, sidomos duke e izoluar Mesin në pjesën e parë, ndërsa mungonte edhe Suarezi i dëmtuar. Nuk bëri punë fakti se Barça mbajti topin 77 për qind, as që gjuajti 26 herë drejt portës, në krahasim me 9 të kundërshtarit. Rëndësi kishin gjuajtjet në kuadrat (6-4), dhe sidomos golat (1-2). Mesi ishte më i miri për kampionët, duke shënuar golin, duke goditur shtyllën e duke detyruar portierin Domenek që të bënte një pritje të madhe.
Në 15 minutat e fundit, skuadra e Valverdes u hodh e gjitha në sulm, por nuk krijoi dot mundësi të pastra shënimi, madje ishte rivali që mund të kishte shënuar dy herë golin e tretë, me anë të Gonsalo Guedesit. Me këtë fitore, trajneri Marselino Garsia Toral i dha fund një serie prej 20 ndeshjesh pa sukses ndaj Barcelonës. Tashmë, priten ndryshime të rëndësishme në “Kamp Nou”, ku i pari mund ta pësojë trajneri Ernesto Valverde.
Sfidanti.al