Ata nuk shkojnë në stadium thjesht për të fituar! Po ashtu, ata nuk shkojnë në stadium vetëm kur ekipi është mirë. Kjo është kultura e publikut të Mançester Junajtidit, që pavarësisht dështimit të rëndë sezonal, i qendroi afër ekipit. Klubi njoftoi se të 52 000 abonimet, e nxjerra në shitje për sezonin e ardhshëm, u shitën madje në kohë rekord. Pjesa tjetër e biletave do të jetë për shitje të përjavshme, dhe po ashtu pritet që të blihet rregullisht.
Kjo, edhe pse Junajtidi doli në vend të 6-të në Premier Ligë, duke mos u kualifikuar për në Champions, e duke mbetur 32 pikë prapa rivalit qytetës si dhe kampionit, Mançester Siti. Natyrisht, rivaliteti me blutë e Guardiolës është një tjetër nxitje që tifozët e “djajve të kuq” të mos e braktisin stadiumin. Pasioni i tyre nuk u dëmtua as nga lajmet mbi largimin e mundshëm të yjeve si portieri David De Gea (tek PSG) apo Pol Pogba (Real Madrid). Me një kulturë të tillë, nuk ka vdekje një biznes si Mançester Junajtid i futbollit, që mbetet në vend të parë ose të dytë në botë për buxhetin, për të ardhurat, dhe për vlerën si klub.
Sfidanti.al