Është në barazim 2-2 finalja e Lindjes në NBA, dhe Toronto Raptors dha një mesazh. Edhe pse Koui Leonard luajti praktikisht “me një këmbë”, për shkak dëmtimi, sërish skuadra kanadeze e fitoi ndeshjen tepër të rëndësishme të katërt ndaj Miluokit. Jo vetëm e fitoi, por edhe e stërfitoi me rezultatin 120-102. Kundërshtari ishte dukur i pandalshëm me një Janis Antetokumbo qiellor, por ja që gjërat shkuan ndryshe.
Toronto vuri në lëvizje “mekanizma” të tjerë, në radhë të parë lojtarët e stolit, që nuk është se kishin shkëlqyer shumë deri tani. Ata iu përgjigjën apelit duke realizuar një ndeshje të madhe. Leonard e bëri të vetën, shënoi 19 pikë e kapi 7 topa në tabela, vodhi 4 topa e bllokoi 2 gjuajtje, por të shkëlqyer ishin Ibaka (17 pikë, 13 tabel), Pauell (18 pikë) e Vanvlit (13 pikë). Padyshim, edhe lojtarët e formacionit bazë, ku Kajl Louri realizoi 25 pikë, pati 5 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa Mark Gasol shtoi 17 pikë, 5 tabela e 7 asistë.
Antetokumbo u mbulua sërish fort, edhe pse shënoi 25 pikë, kapi 10 topa në tabela e dha 5 asistë. Midëllton dha një paraqitje të madhe me 30 pikë, por pjesa tjetër e skuadrës ishte dobët, me Bruk Lopezin që ia doli të realizonte vetëm 8 pikë. Ndeshja e pestë do të luhet mëngjesin e 24 majit në fushën e Miluokit.
Sfidanti.al