UEFA: Çelsit dhe Arsenalit nga 6000 bileta se.. nuk vijnë në stadium!

UEFA u vu përballë kritikave të ashpra nga ana e klubeve të Çelsit dhe të Arsenalit, sepse “shtëpia” evropiane futbollit u dha tifozëve të tyre vetëm nga 6000 bileta për të ndjekur ndeshjen finale të Ligës së Evropës (LE) mes dy klubeve të mësipërm që do të luhet në Baku (Azerbajxhan), më 29 maj.

Në fakt, opinioni publik sportiv në Angli u befasua nga vendimi i UEFA-s që t’u jepte aq pak bileta tifozëve të Çelsit dhe Arsenalit, ndërkohë që  stadiumi i Bakusë ka një kapacitet prej 70 000 vendesh. Kështu, UEFA u detyrua që të jepte shpjegimet përkatëse:

“Për shkak të përvojave të kaluara nga ndeshjet finale të Ligës së Evropës dhe Superkupës evropiane, u vendos që tifozëve të ekipeve finalistë t’u jepen nga 6000 bileta. Në të kaluarën, ne kemi pasur shumë kërkesa për ndeshje finale të tilla dhe i kemi miratuar ato, por një numër i madh tifozësh nuk erdhi në stadium. Duke qenë se ndeshja finale e LE-së kësaj here do të zhvillohet larg, në Baku, ne kemi arsye të mendojmë se përsëri një numër i konsiderueshëm tifozësh nuk do të vijë në stadium, kështu që ne nuk duam që të përballemi me të njëjtin problem. Po ashtu, ne kemi marrë parasysh kapacitetin e aeroportit të Bakusë dhe numrin e hoteleve në këtë qytet”.

Sfidanti.al