Në derbin e kryeqytetit, edhe tifozëve u pëlqen që të gënjehen!

Nga 25 vjet më parë, në Serinë A, pati një moment shumë interesant. Dy lojtarë në fushë, anglezi Gaskoin dhe braziliani Alemao, u acaruan me njëri-tjetrin dhe desh u kapën për fyti. Lojtarët e dy ekipeve shkuan në ndihmë të shokëve, dhe menjëherë u krijua një skenë gjigande sherri, por pas disa sekondave, Gaskoini dhe Alemao arritën të çanin “murin njerëzor” dhe i dhanë dorën njëri-tjetrit, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve vazhdonin të grindeshin.

Kështu më duken tifozët e Partizanit dhe Tiranës që shumë net i jetojnë me ëndrra mallkimi për kundërshtarin “historik”, shumë ditë i shkojnë duke zgjedhur sharjet dhe ofendimet më të spikatura për “morrat e kuq” e “minjtë e bashkisë”, e duke krijuar një mënyrë jetese paralele, që nuk ka asnjë lidhje me jetën e vërtetë, por është thjesht fryt fatkeq i indoktrinimit.

Krejt në kundërshtim me ta, drejtuesit apo edhe lojtarët e dy ekipeve, kanë marrëdhënie krejt të ndryshme. Në prag të derbit të nesërm në “Selman Stërmasi”, “thashethemet” janë të shumta se mund të ketë një kompromis, të paktën një barazim, në mënyrë që Tirana të ndihmohet në luftën për mbijetesë. Në mentalitetin e tifozit, kjo nuk mund të ndodhë kurrë, por quhet krejt normale për mentalitetin e drejtuesve dhe lojtarëve. i vetmi shqetësim i tyre është që kjo të mos merret vesh, dhe nëse fjalët dalin “në pazar”, të ketë përbetime përgënjeshtruese.

Në gjithë këtë histori më kujtohet edhe batuta e një filmi shqiptar, në një bisedë mes dy njerëzve që bënin pjesë në një çetë kundër qeverisë së Enver Hoxhës. “Edhe anglo-amerikanëve u pëlqen të gënjehen”, – ishte batuta e njërit prej tyre. Kështu, edhe tifozëve u pëlqen të gënjehen dhe të besojnë se klubet e tyre nuk i tradhëtojnë, sepse atyre që ke “brenda në shtëpi” nuk ke se çfarë t’u bësh. Nuk thuhet kot, tifozi më lehtë ndërron gruan, se ekipin e zemrës.

Sfidanti.al