Është e ditur shprehja se “futbolli është gjëja më e rëndësishme nga gjërat e parëndësishme”. Kjo vlen edhe sot, kur flitet për një biznes prej miliarda e miliarda eurosh apo dollarësh, por që do të duhet të ecë në majë të gishtave kur ndodhet përballë historish të vjetra dhe tragjike. Kjo shprehje m’u kujtua kur lexova se qeveria e Azerbajxhanit deklaroi se do ta lejonte Henrik Mkitarianin që të luante finalen e Ligës së Europës në tokën azere.
Mkitarian është armen dhe nuk ka pasur mundësi të luajë në Azerbajxhan, në të kaluarën, për shkak të tensioneve politike dhe etnike mes dy vendeve fqinje, tensione që “flakërojnë” për shkak të rajonit Nagorno-Karabak të Azerbajxhanit, që u mor nën kontroll në 1994, nga forca ushtarake etnike armene të përkrahura nga Armenia.
Futbollisti i Arsenalit nuk mundi të luante në ndeshjen e grupit këtë sezon, por tashmë Ministria e Jashtme azere deklaroi se nuk do të ketë pengesë. “Në vendin tonë ka pasur shumë aktivitete sportive, dhe në to kanë mundur të luajnë sportistë armenë, – u shpreh zëdhënësja Lejla Abdullajeva, – sporti dhe politika janë të ndarë”. Arsenali luan ndaj Çelsit në finalen e Ligës së Europës që zhvillohet në stadiumin e Bakusë në 29 maj.
Sfidanti.al