Një gazetë gjermane, natyrshëm, do t’i hedhë sytë më shumë tek Sebastian Fetel, gjithnjë kur shkruan për Ferrarin. Gazeta “Bild” tregohet shumë optimiste për katër herë kampionin e botës dhe shanset e tij për fitore në Çmimin e Madh të Spanjës në Formula 1, këtë të diel. E përditshmja bulevardeske rreshton 5 arsye që, sipas saj, i japin më shumë shpresë Fetelit për të mposhtur më në fund “Shigjetat e Argjendta” të Mercedesit.
- Motori i ri! Ferrari priste që ta kishte gati këtë motor për garën e shtatë të sezonit, në Kanada, por ia doli që në të pestën. Italianët e dinë se në Barcelonë është vështirë të parakalohet, pra nisja ka rëndësi, që do të thotë rezultati në provat zyrtare.
- Aerodinamikë e re! Shefi Matia Binoto theksoi se titulli botëror do të vendoset nga aftësia e skuadrave për t’u përmirësuar në aerodinamikë. Ferrari pati disa pjesë të reja që në Baku, ndërsa pret të tjera në Spanjë, ndonëse edhe skuadrat e tjera nuk po rrinë duarkryq.
- Asfati i ashpër! Duket e habitshme, por pikërisht ky asfalt mund të ndihmojë gomat e Ferrarit që të japin paraqitje më të mira sesa deri tani, pasi do t’i bëjë që të nxehen më shpejt, për shkak të fërkimit më të madh.
- Forma e madhe e Ferrarit në testet para sezonit. Skuadra italiane shkëlqeu javën e parë të testeve që u bënë pikërisht në Barcelonë. Javën e dytë, Mercedesi barazpeshoi gjendjen, por Feteli u shpreh se makina i përgjigjej sipas dëshirës.
- Konkurrenca tek Mercedesi. Në Barcelonë, në 2016, Hamilton dhe Rosberg u përplasën me njëri-tjetrin dhe dolën nga gara. Dy javë më parë, në Baku, Hamilton dhe Botas u ndeshjën në xhiron e parë, por pastaj kampioni i botës u tërhoq. “Ndoshta u tregova shumë i butë”, – ishin fjalët e tij, ndërsa Ferrari shpreson që Hamilton të kthehet tek “tekat” e vjetra.
Sfidanti.al