Toronto e Denveri, “deklarata” të forta për finalet e Konferencave

Nuk është se duelet kanë përfunduar, e ndoshta do të duhen edhe nga dy ndeshje në secilën gjysmëfinale. Gjithsesi, fitoret e Torontos dhe Denverit në plej ofin e NBA-së kishin një “emërues” të përbashkët, forcën e dëshirës për të qenë me çdo kusht në finalet e Konferencave. Sukseset ishin të thellë, Toronto mundi Filadelfian me 36 pikë diferencë 125-89, ndërsa Denveri kaloi Portlendin e fortë 124-98 (26 pikë epërsi).

Në Kanada, Koui Leonard ishte numri 1, por jo me shumë diferencë. Ish-ylli i San Antonios shënoi 21 pikë e kapi 13 topa në tabela (4 asistë, 2 vjedhje), por pranë tij ishin edhe Siakam (25 pikë, 8 tabela, 3 asistë, 2 vjedhje, 1 bllokim), Grin (17 pikë), Kajl Louri (19 pikë, 6 tabela, 5 asistë) si dhe spanjollët Mark Gasol (11 pikë) e Ibaka (10 pikë). Tek Filadelfia zhgëjeu Embijd me vetëm 13 pikë, ndërsa Xhimi Batler ishte i vetmi që u përpoq duke realizuar 22 pikë.

Në Arenën e Denverit, sërish më i miri ishte Nikola Jokiç. Shtatlarti serb bëri thuajse gjithçka, me 25 pikë, 19 topa në tabela e 6 asistë, ndihmuar nga Millsap (24 pikë, 8 tabela), Harris (16 pikë, 6 tabela) dhe Marrej (18 pikë, 5 tabela, 8 asistë). Për Portlendin, Damien Lilard shënoi 22 pikë, por nuk mundi të shkëlqente si zakonisht. Ndeshjet e gjashta do të luhen, përkatësisht në Filadelfia dhe në Portlend, ndërsa të shtatat nëse do të jetë e nevojshme, sërish në Toronto e Denver.

Sfidanti.al