Frikë për shëndetin e Fergusonit, Junajtid jashtë Championsit

Eleminimi nga Barcelona ishte vetëm 50 për qind e së keqes për Mançester Junajtidin. E keqja u bë e plotë me barazimin në fushën e Hadërsfildit, që solli dështimin për t’u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm. Një gol i Isak Mpenzës në 60’ barazoi rrjetën e Skot Mektominait (8’), dhe e la skuadrën e trajnerit Solskjer në vendin e 6-të në renditje, me 66 pikë, plot 4 më pak se Çelsi i vendit të katërt, kur mbetet edhe një javë deri në mbyllje të Premier Ligës.

Ky rezultat me siguri do t’i ketë shkaktuar një shqetësim tjetër të madh trajnerit legjendar, Sër Aleks Ferguson, i cili duhet të jetë shumë i qetë pas hemorragjisë cerebrale që pësoi më herët këtë vit. Me Fergusonin, Junajtidi fitoi 13 tituj kampion në Angli, dy Champions dhe arriti në 4 finale Championsi. Sot, ajo kohë duket tepër e largët.

Përveç tronditjes së legjendave të vjetra, dështimi do të sjellë edhe goditje të rëndë financiare për klubin rekordmen të titujve në Angli. Rënia u ndje që vitin e kaluar, kur Junajtidi u la prapa nga Reali e Barcelona në renditjen e klubeve me fitimet më të mëdha, duke pasur një ulje prei 8 përqindësh, pavarësisht se u kualifikuan për në Champions. Këtë vit, pritet të jetë edhe më keq, ndërsa nuk dihet nëse trajneri Solskjer do të ketë aftësinë e duhur, paratë e duhura dhe mbështetjen e duhur për të krijuar një skuadër që të bëjë kthesë edicionin e ardhshëm.

Sfidanti.al