Nuk është Guardiola, as Luis Enrike, por quhet Valverde

Rezultati që mori ekipi i tij ishte më i miri i mundshëm, madje ndaj një kundërshtari tepër të fortë si Liverpuli. Barcelona hodhi hapin e madh drejt finales së Championsit, dhe trajneri Ernesto Valverde duhet të marrë meritat që i takojnë. Mediat angleze shkruanin që përpara ndeshjes se “ai nuk ka as energjinë e Guardiolës, as intensitetin e Luis Enrikes, por me stilin e tij ka krijuar një Barcelonë të ndryshme nga më parë, veçse fituese”.

Me titullin e dytë radhazi në Spanjë të fituar, dhe me skuadrën në finalen e Kupës së Mbretit, problemi i vetëm i “txingurrit” ishte Liga e Kampionëve, ku dështoi rëndshëm vjet, duke u eleminuar nga Roma. Me qetësinë dhe pjekurinë që e karakterizon, trajneri u kujton në radhë të parë lojtarëve të tij, pastaj tifozëve dhe mediave, se “kishim 3 gola avantazh edhe kur shkuam në Romë, por u mundëm”. E qartë, as rezultati 3-0 nuk mjafton për në “Anfild”, bashkë me dy golat e Mesit.

Pikërisht Mesi është strumbullari i sukseseve të Valverdes, por po ashtu ka qenë edhe ylli kryesor i fitoreve të Guardiolës e Luis Enrikes. “Ai është kapiteni ynë, është lojtari më i mirë në botë, është udhëheqësi në fushë, dhe skuadra e ndjek, – komentoi trajneri, – Mesi ka një marrëdhënie të shkëlqyer me klubin dhe shokët e skuadrës. Jo vetëm shënoi golat, por dha shembullin në fushë, madje edhe në lojën në mbrojtje”.

Gjithsesi, golin e parë e shënoi Luis Suarez. “Ishte themelore që ne të shënonim të parët dhe sa më shpejt, – tha Valverde, – pasi nuk po merrej vesh sesi po shkonte ndeshja. Rreziku ndihej në ajër, dhe ai që do të shënonte i pari, do të kishte avantazhin. Suarezi shënoi një gol të madh”.

Sfidanti.al