Vdekja e Airton Senës, apo interesi për fitimin mbi jetën e njeriut!

Të shtunën e 30 prillit 1994, në pistën e Imolas, ndodhi tragjedia e pilotit austriak, Roland Racenberger, që u përplas me barrierat anësore në provat zyrtare të Çmimit të Madh të San Marinos në Formula 1. Tri herë kampioni i botës, Airton Sena, kërkoi nga organizatorët që gara e të nesërmes, në 1 maj, të mos zhvillohej. Më kot, mendimi dhe kërkesa e më të madhit të këtij sporti nuk u mor parasysh dhe pilotët u detyruan të hipnin në makinat e vendosura në vijën e nisjes.

“Makinat janë shumë të shpejta dhe të vështira për t’u drejtuar, – kishte thënë Sena përpara fillimit të sezonit, ndërsa ishin bërë ndryshime në rregullore, – kam frikë se ky Botëror do të ketë aksidente të shumta, dhe madje do të jemi me fat nëse nuk ndodh ndonjë gjë e rëndë”.

Gara nisi në orën e caktuar, dhe makina Uilliams-Reno e Senës, që po kryesonte përpara Benetonit të Mikael Shumaherit, u përplas në xhiron e shtatë, me paretet e pistës në kthesën “Tamburelo”. Askush nuk mundi t’i vinte në ndihmë pas goditjes së murit me rreth 200 km në orë, një mur pa rreshtat e gomave që vihen sot për të krijuar mbrojtje.

Pas kësaj tragjedie, shumë gjëra ndryshuan në sportin e Formula 1, siç e provoi vetë Shumaheri në 1996 në Çmimin e Madh të Anglisë në Silverston, në një përplasje që do ta kishte lënë të vdekur nëse do të kishte qenë në një makinë si ajo e Senës.

Gjithsesi, të mbetet në mendje pafuqia qoftë edhe e një kampioni, e pilotit numër 1, e një milioneri, përballë një biznesi miliardash si Formula 1, që në 1 maj 1994 zgjodhën të mos kujdeseshin për jetën njerëzore, mjaft që të mos dëmtohej një kompani aq fitimprurëse sa kampionati botëror i automobilizmit. Nëse Sena do të kishte qenë më i vendosur, pra më i ndërgjegjshëm, dhe po ashtu edhe pilotët e tjerë, natyrisht që ajo që ndodhi nuk do të kishte ngjarë. Meqë jemi pranë 1 majit (sot, data 2), mund të themi se edhe për pilotët milionerë të Formula 1, vlen formimi sindikalist, pasi edhe ata janë punëtorë (edhe pse super të privilegjuar) të pronarëve shumë herë më të pasur, dhe më të fuqishëm sesa ata.

Sfidanti.al