Interi, Juventusi, Roma dhe misteri “Antonio Konte”!

Një trajner është më i kërkuari i momentit në Itali. Nuk flasim për Guardiolën, Poçetinon, Klopin apo Valverden, por për Antonio Konten, i cili është ende pushim që pas largimit nga Çelsi verën e kaluar. E ardhmja e tij është një nga misteret e momentit, pasi Roma me Interin janë të deklaruar thuajse publikisht se e duan në stol për sezonin e ardhshëm, por ndoshta mund të dalë edhe mundësia e Juventusit.

Nga Roma, jepet informacioni se klubi kryeqytetas është gati t’i plotësojë çdo kërkesë, por kuptohet në bazë të mundësive financiare të verdhekuqve. Interi është në pozitë më të mirë, pasi është klub më i fuqishëm ekonomikisht dhe, sipas të gjitha gjasave, do të jetë në Champions. Vështirësia më e madhe për Bepe Marotën do të ishte sesi të manovronte me pagesën për trajnerin e tanishëm, Luçiano Spaleti, dhe Konten. Spaleti do të kushtonte 25 milionë euro për kontratën deri në 2021, nëse nuk jepte dorëheqje, por shkarkohej nga klubi. Vetë Konte mund të merrte një rrogë 9-10 milionë euro në sezon, pra flitet për një shpenzim të madh.

Së fundi Juventusi, që nuk ka dhënë asnjë sinjal. Konte, sipas mediave italiane, do të dëshironte të shkonte në Torino edhe për arsye familjare, por siç shihet kampionët e Italisë duan që të vazhdojnë me Masimiliano Alegrin në stol. Për më tepër, vetë Konte pati një përplasje me Andrea Anjelin në 2014, kur vendosi të largohej nga Juvja. A thua të jetë harruar?

Sfidanti.al