Hënes i heq kapelen Dortmundit: Një klub shumë inteligjent

Ai është presidenti i Bajernit të Mynihut dhe zakonisht duhet të jenë të tjerët që t’i heqin kapelen atij. Uli Hënes, megjithatë, ka zgjedhur të jetë ai vetë që të vlerësojë lart rivalin kryesor në Gjermani, Borusian e Dortmundit. Legjenda bavareze (paksa e njollosur nga taksat) theksoi se Dortmundi ka bërë lëvizje të shkëlqyera vitet e fundt në tregun e futbollit.

“Nuk di ta them saktë sesa ka fituar Dortmundi këta vjet, – tha Hënesi për “Shport Bildin”, – në fund të fundit, të ardhurat krijohen nga biznesi në tërësi, jo nga shitjet e lojtarëve, por është fakt se Dortmundi ka bërë lëvizje shumë të mirë gjithë këtë periudhë”. Bajerni po shpenzon shumë për të marrë lojtarë, në një treg gjithnjë e më të shtrenjtë, ndërsa Borusia ka bërë të kundërtën, ka marrë lojtarët lirë, dhe i ka transferuar shtrenjtë.

Gjithsesi, e gjitha kjo nuk i pëlqen shefit ekzekutiv, Hans-Joakim Vacke. “Natyrisht ne kemi përfituar financiarisht, – tha ai, – por, unë nuk jam aspak krenar, sepse kjo ka sjellë humbje të cilësisë. Nuk dua që të bëj më transferime, ne duam që t’i mbajmë lojtarët tanë më të mirë”.

Sfidanti.al