Liverpuli dhe Totenhemi, sa fate të ndryshëm në gjysmëfinale!

Skuadrat angleze janë ndarë “gjysma-gjysma” në duelet gjysmëfinalë në Ligën e Kampionëve, por Liverpuli dhe Totenhemi kanë pasur fate krejt të ndryshëm. Të kuqtë, pesë herë kampionë të Europës, kanë kaluar gjysmëfinalet në 8 nga 10 raste kur kanë mbërritur aty, pra me një mesatare të shkëlqyer suksesi 80 për qind. Të vetmet raste kur Liverpuli nuk ia doli ishin në 1965 ndaj Interit (pati polemika për gjyqtarin) dhe në 2008 kundër Çelsit.

Totenhemi, ndërkaq, ka qenë vetëm një herë më parë në gjysmëfinale të Championsit, atëherë kur quhej Kupa e Kampionëve, në 1961-1962, dhe u mund nga Benfika e madhe e Euzebios. Kjo ndaj Ajaksit është gjysmëfinalja e dytë. Për Totenhemin mund të merren për bazë edhe gjysmëfinalet në kupat e tjera europiane, dhe në total, nga 7 gjysmëfinale, “gjelat” kanë triumfuar në katër, pra në pak më shumë se gjysma.

Sfidanti.al