Ka një “luftë të brendshme” për Matejs De Ligt, ndërsa kapiteni i Ajaksit është thuajse i sigurt se do të largohet nga Holanda këtë verë. Mediat angleze shkruajnë se vetë mbrojtësi preferon më shumë Barcelonën, veçse shtojnë se agjenti i tij, i njohuri Mino Raiola, do të donte më shumë që ai të shkonte tek Mançester Junajtid. Arsyeja është e thjeshtë, Raiola beson se ai vetë do të përfitonte më shumë financiarisht nga kjo lëvizje, por edhe mendon që De Ligti do ta kishte më shumë të sigurt për të luajtur në “Old Traford” sesa në “Kamp Nou”.
Përveç Barçës dhe Junajtidit, të interesuar janë edhe Bajerni me Juventusin, dhe Raiola është i bindur se edhe këta klube do të jepnin më shumë para sesa katalanasit, ashtu siç do të bënin anglezët. Nuk dihet sesi do të përfundojë debati, por është e qartë se “blaugranët” janë një hap përpara të tjerëve. De Ligti pëlqen të luajë për ta, po ashtu tradita holandeze tek Barcelona është tepër e fuqishme, që nga koha e Johan Krujfit. Kapiteni i Ajaksit i ka hedhur “ujë zjarrit” duke thënë se kartoni i tij kushton më pak se 75 milionë euro.
Sfidanti.al