Nga lojtari që i preku gjoksin, te Guardiola e Riberi, flet gjyqtarja Bibiana!

Ajo është e para gjyqtare femër në Bundesligën gjermane, një histori e bukur që filloi në 2017. Bibiana Shtajnhauz, sot 40-vjeçare, është zilia e shumë grave e vajzave në botë, sidomos e atyre në vende me më pak të drejta, dhe së fundmi ajo dha një intervistë për gazetarin e “Bildit”, Kai Treman, ku foli për shumë nga gjërat që njerëzit nuk i dinë.

“Bibi” tregoi se kishte arritur deri në lot pas një ndeshjeje për shkak të gabimeve të bëra, sesi në një ndeshje tjetër dha një penallti krejtësisht të gabuar, por u ndihmua nga asistentët, dhe e ndryshoi vendimin. Ajo e sheh me pozitivitet VAR-in, pasi teknologjia për të është e ardhmja, por thotë se ndryshimi ishte i shpejtë dhe kjo solli gabime. Si një gjyqtare e vërtetë, me krenarinë profesionale të rolit, Bibiana thotë se “në fund të fundit, vendimi është i arbitrit”.

Një herë, në një ndeshje, ish-lojtari i Hertës, Peter Nimajer, i preku pa dashje (a thua?) gjoksin, por që të dy e kaluan me humor dhe shaka këtë moment. Shtajnhauz pati përplasje me ish-trajnerin e Bajernit, Pep Guardiola, dhe me “fëmijën e tmerrshëm” Frank Riberi, por sot marrëdhëniet mes tyre janë shumë të mira. “Më pëlqen që jam një gjyqtare grua në mes të burrave, në fushën e lojës, – thotë ajo, – thjesht kërkoj respekt, ndërsa nga vetja kërkoj që të jem e ndershme e zonja në punën time”.

Bibiana është nga Hanoveri, dhe u pyet nëse ka një skuadër të zemrës. “Ne gjyqtarët jemi skuadra e 19-të e Bundesligës, – tha 40-vjeçarja, – dhe unë jam tifoze e madhe e kësaj skuadre”.

Sfidanti.al