Miliarda, tensione dhe dështime, ç’po ndodh me Paris SG?!

Nëse duhej edhe një goditje fatale, ja ku erdhi. Paris SG pësoi edhe një disfatë në nivel kombëtar, pas dështimit në Champions, këtë herë duke humbur Kupën e Francës. Skuadra e krijuar me pretendime të mëdha, për t’u matur me gjigandët e kontinentit, u mposht nga Rena modeste, në finalen e luajtur pikërisht në qytetin e saj, në “Stadë të Frans” të Parisit.

Sfida përfundoi vetëm pas 120 minutave dhe gjuajtjeve të penalltive, ku një gabim nga Nkunku i dha kupën Renës. Kjo humbje iu shtua eleminimit nga Kupa e Ligës, dhe disa rezultateve negative radhazi në Ligën e Parë, edhe pse PSG e fitoi titullin.

E pra, ndeshja nisi shumë mirë për parizienët që arritën avantazhin e dy golave. Dani Alvesh dhe Nejmar, i rikthyer nga dëmtimi, ishin autorët e golave që në 21’ e para, gjithçka do të përmbysej shpejt. Kimpembe shkaktoi autogol 5 minuta para pushimit, ndërsa Mekser barazoi rezultatin në minutën e 66-të. Nuk bëri punë epërsia dërrmuese në talent dhe potencial e skuadrës së trajnerit Tomas Tuhel, që në momentet vendimtare u braktis edhe nga fati.

“Është shumë e vështirë të shpjegoj këtë që ndodhi, – u shpreh gjermani më pas, – e nisëm shumë mirë, shënuam golat, patëm shumë raste, treguam nivel dhe cilësi, por në fund humbëm. Duhet të mendohem për disa ditë, por është e qartë se dua të vazhdoj këtu”.

Finalja ishte si një serial filmash, me nervat, emocione, konflikte dhe antipati. Kilian Mbape nuk u përmbajt dot dhe u përjashtua me karton të kuq në minutën e parafundit shtesë, për një ndërhyrje të rrezikshme. Kartoni i kuq dhe dënimi mund t’i humbasin Këpucën e Artë të Europës, për të cilën është në garë me Mesin.

Ylli tjetër parizien, Nejmar, po ashtu nuk e përballoi dot presionin dhe dëshpërimin e humbjes, duke goditur një tifoz, me shumë gjasë rival, që e qortoi se në fillim duhej të mësonte të luante futboll. Pritet të ketë dënim edhe për brazilianin. Së fundi, presidenti i PSG-së, Al Helaifi, bëri figurë tepër të keqe, kur refuzoi fillimisht t’i shtrëngonte dorën lojtarit të Renës, Hatem Ben Arfa, ish-futbollist i parizienëve. Më pas, pranoi, por imazhi i keq mbeti.

Një tjetër sezon i dështuar për klubin e zotëruar nga sheikët. Mbi 1.2 miliardë USD të shpenzuara që nga viti 2011 nuk kanë dhënë rezultat dhe nuk dihet se kur Paris SG do të jetë në nivelin e Realit, Barcelonës apo Bajernit.

Sfidanti.al