Mercedes rekordesh në F1; në Baku regjistron dopietën e 4 në 4 gara

Mercedes duket se nuk ka ndërmend t’u lërë asgjë kundërshtarëve të saj në këtë sezon të Formula 1. Skuderia gjermane triumfoi edhe në Azerbajxhan duke regjistruar dopietën e 4 në po kaq gara të këtij kampionati. Në pistën e Bakut, ishte Valteri Botas ai që triumfoi duke zhvilluar një garë në kufijtë e perfektes.

Finlandezi e administroi mjaft mirë atë, pa pasur shumë probleme duke u treguar shumë i aftë në mbajtjen pas vetes të shokut të tij të skuadrës, Ljuis Hamilton që u detyrua të kënaqej me vendin e dytë. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë në botërorin e Formula 1 që një skuadër të regjistrojë 4 dopieta radhazi në garat e këtij kampionati.

Ferrari edhe këtë radhë u desh të bëjë rolin e spektatorit pavarësisht nisjes mjaft të mirë të fundjavës teksa u shfaq superiore në provat e lira. Rezultati më i mirë i Kokëkuqes italiane është vendi i tretë i Sebastian Fetel, ndërsa Lëklerk u rendit në vendin e pestë edhe pse zhvilloi një pjesë të parë të garës mjaft të mirë.

Maks Vershtapen me Red Bull edhe këtë radhë mbeti jashtë podiumit duke u renditur në vendin e katërt, ndërkohë që shoku i tij i skuadrës Gasli u detyrua të tërhiqej duke e cuar dëm paraqitjen e tij pozitive në këtë garë që e nisi nga pit lane.

Pas përfundimi të kësaj gare, duket se tashmë Mercedes e ka vendosur diktatin e saj në Formula 1 edhe për këtë sezon, pasi diferencat janë të dukshme. 174 pikë ka skuderia gjermane kundrejt 98 të Ferrarit. Po kaq të mëdha janë edhe diferencat mes pilotëve, Fetel është 35 pikë prapa kreut të klasifikimit, ndërsa Lëklerk 40.

sfidanti.al