U desh edhe ndeshja përcaktuese. Denver Nagets u sforcua deri në limit për të arritur kualifikimin, dhe pritja 10-vjeçare mori fund. Skuadra nga Kolorado kaloi më në fund në raundin e dytë të plej ofit në NBA, duke kaluar me shumë vështirësi San Antonio Spërsin me rezultatin 90-86. Diferenca në përvojë mes dy ekipeve u duk qartë nga fakti se dueli zgjati plot 7 takime, por gjithsesi këtë herë vendasit nuk patën dështim. Përvoja vjen bashkë me fitoret dhe kështu shpresojnë edhe tifozët.
Si përherë, njeriu që vuri vulën ishte Nikola Jokiç. Shtatlarti serb pati një tjetër tripëll dabëll, me 21 pikë, 15 topa në tabela e 10 pasime për kosh. Xhamal Marrej po ashtu ishte vendimtar, duke realizuar 23 pikë, e duke qenë krahu i djathtë i Jokiçit gjatë gjithë ndeshjes. Denveri pati ndeshjen në zotërim thuajse gjatë gjithë kohës, duke krijuar epërsi afër 15 pikë, por u rrezikua jo pak që të humbiste.
San Antonio u afrua në dy pikë diferencë, por nuk e realizoi dot përmbysjen. Trajneri Majkëll Maloun u shpreh i lumtur për karakterin dhe forcën psikologjike të ekipit të tij, që u duk në momentet më të vështira, pranë fundit. Në turin e dytë, Denveri do të ketë një sfidë po kaq të vështirë ndaj Portlendit, por sërish me faktorin fushë në favor.
Sfidanti.al