Derbi i mallkuar, Dortmundi humb me Shalken, humb titullin!

Nuk thuhet kot se derbi është ndeshja më e vështirë në botë. Edhe pse nuk janë skuadra të një qyteti, Dortmundi e Shalke janë fqinjë dhe kjo ka krijuar rivalitetin më të madh në Gjermani, rivalitet që e la pa titull Borusian këtë vit. Ka 69 pikë ndaj 70 të Bajernit, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e tij.

Në “Signal Iduna Park” fituan “Blutë Mbretërorë”, madje me shifrat 4-2, në një duel të çuditshëm ku Dortmundi mbajti topin 70 për qind, por nuk mundi ta kthente këtë epërsi territoriale, në sukses me rezultat. Jo vetëm kaq, por Shalke ishte po aq efikase sa vendasit, duke realizuar 8 gjuajtje, baraz me skuadrën e trajnerit Lysien Favre.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Mario Gëces që në minutën e 14-të, por miqtë nuk u dorëzuan këtë herë. Ndoshta puna e trajnerit Hub Stevens po bën një mrekulli, dhe Kaligiuri me penallti e Salif Sane përmbysën shifrat që në pjesën e parë. Pas pushimit, Kaligiuri shënoi edhe golin e tretë, duke e bërë derbin një “malore” për Dortmundin.

Gjithçka u kompromentua edhe më keq me dy kartonët e kuq të marrë nga vendasit, shpejt e shpejt. Kapiteni Marko Rojs dhe Marius Volf u përjashtuan nga loja, duke e lënë ekipin me 9 vetë. Borusia arriti të shkurtonte shifrat me golin e Aksel Vicelit, por edhe barazimi doli i gënjeshtërt. Brel Embolo vulosi shifrat 4-2 për Shalken, që hodhi një hap thuajse vendimtar për të mos rënë nga Bundesliga.

Sfidanti.al