Euroliga, pas Realit, edhe Fenerbahçe “fluturon” në plej of!

Vështirë se pritej ndonjë mrekulli, as kur kundërshtari kishte një emër të lavdishëm si Zhalgiris i Kaunasit, dhe kishte fituar në Stamboll. Fenerbahçe është një superskuadër e ndërtuar për të fituar Euroligën, në nivel të njëjtë me gjigandë si Reali apo CSKA-ja, dhe kampionia turke ia doli duke u kualifikuar për në katërshen finale. Fitoi edhe ndeshjen e dytë radhazi në Lituani, 99-82, duke mos dashur t’ia dijë për mbi 15 000 tifozë në Arenën e shkëlqyer të Kaunasit, qytet ku dikur ishin fenomenë si Sabonis apo Kurtinaitis.

Amerikani Ali Muhamed ishte lideri i Fenerit, me 25 pikë të shënuara, 4 asistë dhe 3 vjedhje topi, duke marrë vlerësimin 32. Greku Slukas (15 pikë), çeku Veseli (12), serbi Guduriç (11) dhe amerikani tjetër Grin (11), plotësuan punën e bërë nga Muhamed. Më pak, u ndjenë italianët Datome dhe Meli. Edhe Zhalgirisi pati yllin e vet, amerikanin tjetër Brendon Dejvis që shënoi 25 pikë, pati 7 topa në tabela e 3 asistë. Mirë edhe një tjetër amerikan, Nejt Uolters (18 pikë), por lituanezët u “tradhëtuan” nga heroi i Stambollit, Uljanovas.

Fenerbahçe bashkohet me Realin e Madridit që mposhti Panathinaikosin 3-0, ndërsa dy finalistët e tjerë pritet të dalin nga çitet Baskonia-CSKA e Moskës dhe Barcelona-Anadolu Efes. Rusët dhe turqit janë favoritë.

Sfidanti.al