Italianët vazhdojnë të mendojnë, se pikërisht ata kanë absolutisht trajnerët më të mirë në botë, ndërsa pjesa tjetër e Europës nuk mendon më kështu. Klaudio Ranieri është i vetmi trajner italian, në “Top 10” të kandidatëve, për çmimin “Trajneri më i mirë i vitit 2016”, i organizuar nga FIFA. Ndërkohë që në listë nuk është asnjë prej trajnerëve të Serisë A. Për vlerësimin më prestigjoz të vitit, që ka të bëjë me mjeshtrat e pankinave, votohet 50% nga një juri e përbërë prej kapitenëve dhe trajnerëve të ekipeve përfaqësuese, ndërsa 50% të votave vjen nga një kombinacion preferencash, të dala nga një sondazh publik, bashkangjitur asaj të një jurie tjetër, të përbërë nga 200 përfaqësues të mediave ndërkombëtare.
Lista me 10 trajnerët kandidatë, për “The Best 2016” është: Zinedin Zidane (Real Madrid), Luis Enrike (Barcelona), Diego Simeone (Atletiko de Madrid), Kris Koleman (Uells), Didier Deshamps (Franca), Mauricio Poketino (Totenham), Jurgen Klop (Liverpul), Pep Guardiola (Bajern Mynih/Mançester Siti), Klaudio Ranieri (Leiçester Siti) dhe Fernando Santos (Portugali).