Skandali i fundit që shpërtheu, pasi disa ish-futbollistë treguan për ngacmimet seksuale, të cilëve ata u ishin nënshtruar në shkollat e futbollit, ka shkaktuar një nga krizat më të rënda në historinë e futbollit britanik. Një deklaratë të tillë bëri, dje, kreu i Shoqatës së Futbollit të Anglisë, Greg Klark. Më shumë se 20 futbollistë kanë bërë deklarata lidhur me atë se, në fëmijërinë e tyre, ata u ishin nënshtruar ngacmimeve seksuale nga ana e trajnerëve. Më 28 nëntor, deputeti i parlamentit britanik, Demien Kollins, kërkoi një hetim të detajuar të të gjithë aspekteve të kulturës futbollistike angleze.
Aktualisht, policitë e katër konteve, si edhe Skotland Jardi po zhvillojnë, veçmas, hetime mbi bazën e dëshmive që kanë dhënë ish-futbollistët e ngacmuar seksualisht. Kreu i shoqatës së lartpërmendur, Klark, i fiksuar edhe ne foto, vë në dukje se një pjesë e problemit duhet të kërkohet të bazat morale të shoqërisë së viteve ’90. “Ne duhet t’i kuptojmë, deri në fund, pasojat e asaj që ne, në kohën e vet, e injoruam këtë problem”, thotë ai. Në mes të nëntorit të kaluar, skandalin në fjalë e zbuloi, për herë të parë, Endi Uduord që, më parë, ka luajtur me ekipin “Krju”. Pas një jave, në efirin e Bi-Bi-Si-së tingëlluan fjalët e ish-lojtarit të ekipit të të rinjve të Mançester Sitit Kris Ansuort që pohoi se ata e kishin përdhunuar rreth 100 herë në fëmijëri!